Një grua që ngel shtatzënë për shkak të një përdhunimi ose inçesti është viktimë e një krimi të tmerrshëm dhe të dënueshëm. Megjithëse shtatzania si pasojë e një përdhunimi ose inçesti është jashtëzakonisht e rrallë,[1] nuk mund ta shmangim faktin që shtatzania ndodh në disa raste të tilla. Bioeticisti Andrew Varga e përmbledh argumentin për abortin në rastin e përdhunimit dhe inçestit në këtë mënyrë:
Argumentohet që në këto raste tragjike vlera e madhe e shëndetit mendor të gruas që mbetet shtatzënë si pasojë e përdhunimit ose inçestit mund të ruhet më mirë me anë të abortimit. Gjithashtu, thuhet që një shtatzani e shkaktuar nga përdhunimi ose inçesti është rezultat i një padrejtësie të madhe dhe viktima nuk duhet të detyrohet ta mbajë fetusin. Kjo do t’i kujtonte për nëntë muaj dhunën e kryer kundër saj dhe vetëm sa do të rriste ankthin e saj mendor. Arsyetohet që vlera e shëndetit mendor të gruas është më e madhe sesa vlera e fetusit. Për më tepër, besohet që fetusi është një agresor kundër integritetit dhe jetës personale të gruas; është e drejtë dhe e justifikueshme nga ana morale për të ndaluar një agresor madje edhe duke e vrarë atë nëse kjo është e vetmja mënyrë për të mbrojtur vlerat personale dhe humane. Dhe kështu, arrihet në përfundimin që, aborti është i justifikueshëm në raste të tilla. [2]
Pavarësisht thirrjes së fortë për pranimin tonë ka disa probleme me këtë argument.
-
Ky argument nuk mund të përdoret për të mbrojtur idenë “abort sipas dëshirës”, që është qëndrimi i lëvizjeve pro-abortit. Qëndrimi i tyre thotë që një grua ka të drejtë për të abortuar për çdo arsye që ajo preferon përgjatë të gjithë nëntë muajve të shtatzanisë, qoftë kjo për shkak të gjinisë, komoditetit, ose përdhunimit.[3] Të mbrosh “abort sipas dëshirës” për shkak të rasteteve të vështira të përdhunimit dhe inçestit është njësoj sikur të përpiqesh të mbrosh heqjen e ligjeve të trafikut për shkak se dikujt i duhet që t’i shkelë ato në rrethana të rralla kur gruaja ose fëmija duhet të çohet menjëherë në spital. Të provosh një përjashtim nuk vendos një rregull të përgjithshëm.
-
Meqënëse ngjizja nuk ndodh menjëherë pas kryerjes së marrëdhënies, shtatzania mund të ndalohet në të gjitha rastet e përdhunimit nëse viktima e përdhunuar merr trajtim të menjëhershëm mjekësor duke e hequr të gjithë spermën nga mitra e saj. [4]
-
I palinduri nuk është agresor kur prania e tij nuk vë në rrezik jetën e nënës së tij (si në rastin e shtatzanisë tubale). Është përdhunuesi ai që është agresori. I palinduri është po aq viktimë e pafajshme sa edhe nëna e tij. Prandaj, aborti nuk mund të justifikohet mbi bazën që i palinduri është një agresor.
-
Argumenti e bën pyetjen duke hamendësuar që i palinduri nuk është plotësisht njeri. Sepse, nëse i palinduri është plotësisht njeri, atëhere ne duhet të vëmë në peshim në njërën anë lehtësimin e vuajtjes mendore të gruas dhe në anën tjetër të drejtën për të jetuar të një qënie njerëzore të pafajshme. Vrasja e dikujt tjetër asnjëherë nuk është e justifikueshme për ta lehtësuar dikë nga problemet emocionale. Megjithëse një gjykim i tillë është me të vërtetë i mundimshëm, nuk duhet të harrojmë që, të njëjtin të palindur të pafajshëm që gruaja karrieriste do ta abortojë për të shmangur ndërhyrjen me punën dhe ngritjen në detyrë, biologjikisht dhe moralisht është i padallueshëm me të palindurin që vjen si pasojë e një përdhunimi ose inçesti. Dhe meqënëse abortimi për ngritje në karrierë nuk mund të justifikohet nëse i palinduri është plotësisht njeri, atëhere as aborti nuk mund të justifikohet në rastet e përdhunimit dhe inçestit. Ne të dyja rastet abortimi rezulton në vdekjen e një jete njerëzore të pafajshme.
Ashtu siç Dr. Bernard Nathanson ka shkruar,
“Shtatzania e padëshiruar rrjedh biologjikisht nga akti seksual, por jo moralisht prej tij.”[5]
Prandaj, ky argument, vlen vetëm nëse i palinduri nuk është plotësisht neri.
Disa përkrahës pro-abortit pretendojnë që ata që janë kundër abortit u mungon dhembshuria, për shkak se qëndrimi kundër abortit që ata kanë për rastet e përdhunimit dhe inçestit e detyron gruan të mbajë fëmijën kundër vullnetit të saj. Asgjë nuk është më larg të vërtetës sesa kjo. Është përdhunuesi ai që tashmë e ka detyruar këtë grua që ta mbajë fëmijën, jo ai që është kundër abortit. Ai që është pro jetës dhe kundër abortit thjesht do që të parandalojë një qënie tjetër njerëzore të pafajshme (të palindurin) që të mos bëhet viktimë e një veprimi të dhunshëm dhe të dënueshëm moralisht (abortimi), sepse dy të gabuara nuk bëjnë një të drejtë.
Ashtu siç teologu dhe eticieni Dr. Michael Bauman ka vëzhguar:
“Një fëmijë nuk e humb të drejtën e tij për të jetuar thjesht sepse babai ose nëna e tij ishte një kriminel seksual.”[6]
Për më tepër, ankthi dhe vuajtja fizike e shkaktuar nga përdhunimi dhe inçesti janë trajtuar me shumë efektivitet. Profesor Stephen Krason vë në dukje…
“Studimet psikologjike kanë treguar që, kur jepet mbështetja e duhur, shumë viktima të përdhunuara dhe të mbetura shtatzënë, në mënyrë progresive, ndryshojnë qëndrimin e tyre për fëmijën e tyre të palindur nga diçka e neveritshme te dikush që është i pafajshëm dhe tërësisht i vlefshëm.” [7]
Personi që është kundër abortit beson që ndihma duhet t’i jepet viktimës së përdhunuar…
Për ta bërë sa më të lehtë të jetë e mundur që ta japë foshnjen për birësim, nëse ajo dëshiron. Atëhere, të kujdesesh për një grua të mbetur shtatzanë nga përdhunimi, mund të jetë një mundësi për ne – si individë dhe shoqëri—për të treguar mirëkuptim dhe për të dhënë ndihmë. A nuk është më mirë që të tregojmë këto virtyte sesa të tolerojmë një etikë shkatërrimi si zgjidhje?[8]
REFERENCAT
- Në lidhje me këtë, Dr. Stephen Krason shkruan: “Një numër studimesh kanë treguar se shtatzania e ardhur nga përdhunimi është shumë e rrallë. Një studim, që pa 2190 viktima përdhunimi, raportoi që vetëm 0.6 % prej tyre rezultoi në shtatzani.” (Abortion: Politics, Morality, and the Constitution [Lanham, MD: University Press of America, 1984], f. 283.)
- Shih Andrew Varga, The Main Issues in Bioethics, revised edition (New York: Paulist Press, 1984), f. 67-68. Megjithatë, vetë Varga, nuk beson që aborti është i justifikuar moralisht në rastet e përdhunimit dhe të inçestit.
- Mbi faktin që aborti i kërkuar është i ligjshëm në Amerikë, shih Pjesën Një në një seri mbi abortin nga Francis J. Beckwith, Christian Research Journal (Vjeshtë 1990).
- Shih rezultatet e studimeve të 4,800 viktimave të përdhunimit në zonën St. Paul-Minneapolis, siç është cituar në John F. Hillabrand, “Dealing With a Rape Case,” Heartbeat 8 (Mars 1975), f. 250.
- Bernard Nathanson, M.D., Aborting America (New York: Doubleday, 1979), f. 238.
- Michael Bauman, “Verbal Plunder: Combatting the Feminist Encroachment on the Language of Religion and Morality,” letra e paraqitur në takimin vjetor të 42-të Shoqërisë Teologjike Ungjillore, Seminari Teologjik Baptist New Orleans, New Orleans, Louisiana, Nëntor 15-17, 1990, f. 16.
- Stephen M. Krason, Abortion: Politics, Morality, and the Constitution (Lanham, MD: University Press of America, 1984), f. 284. Për një përmbledhje të kërkimit, shih Sandra Kathleen Mahkorn,“Pregnancy and Sexual Assault,” në David Mall dhe Walter F. Watts, M.D., The Psychological Aspects of Abortion (Washington, D.C.: University Publications of America, 1979), f. 67-68. [up]
- Krason, f. 284.
Marrë nga www.christianreformedink.wordpress.com